Komuna e Klinës ka zhvilluar gjatë javëve të kaluara një aksion për eliminimin fizik të qenve endacakë në tërë territorin e saj.
Gjatë këtij aksioni të lejuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) janë vrarë qindra qen, me arsyetimin se kishin paraqitur rrezikshmëri për njerëz, megjithëse zyrtarisht asnjë rast i kafshimit të njerëzve nga qentë nuk është regjistruar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vrasjen e qenve e konfirmon edhe Gjokë Lleshaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Klinë.
Sipas tij, aksioni për eliminimin e qenve është bërë me tender dhe me rregulla.
“Komunës ky aksion i ka kushtuar 9 mijë e 200 euro dhe gjatë këtij aksioni janë vrarë 460 qen endacakë. Lejen për vrasjen e tyre e kemi marrë nga Agjencia e Veterinës”, thotë Lleshaj.