Site icon Telegrafi

46 mijë qytetarë vërshuan rrugët e Francës në protestat e ‘Jelekëve të Verdhë’

Të paktën 44 persona u arrestuan gjatë protestave të “Jelekëve të Verdhë” që u mbajtën të shtunën në të gjithë Francën.

Në mbarë vendin në rrugë dolën 46,600 qytetarë.

Protestat e para u mbajtën më 17 nëntor 2018, ku arsyeja ishte paralajmërimi i rritjes së çmimit të karburantit, megjithatë, protestat u shndërruan në pakënaqësi të përgjithshme me politikat e presidentit Emmanuel Macron.

Ashtu si javët e kaluara, protestuesit u mblodhën në Champs-Elysees të Parisit duke marshuar drejt Sheshit Trocadero pranë kullës Eiffel.

Gurëve dhe shisheve të protestuesve policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Në Clermont-Ferrand të Francës u mblodhën 2,500 qytetarë, ku pati dhe përleshje me policinë ndërsa në Rennes u lënduan 6 policë.

Në protestat të cilat po mbahen që nga 17 nëntori i vitit 2018, jetën e kanë humbur 11 persona dhe 8,400 të tjerë janë plagosur, dënime me burg u caktuan ndaj 1,796 personave.

Gjatë protestave pati edhe trazira gjatë të cilave demonstruesit shkatërronin objekte, plaçkitnin dyqane, digjnin makina dhe kontejnerët e mbeturinave ndërsa policia u detyrua shpesh të përdorte forcën. /Telegrafi/

Exit mobile version