Site icon Telegrafi

450 policë dhe njësite shtesë për ndeshjen Kosovë-Turqi

Janë të angazhuar gjithsej 450 policë të cilët do të jenë nesër në detyrë, si dhe njësitë shtesë rezervë dhe në çdo tentim të eskalimit të mundshëm të ndonjë situate, policia do të reagojë me kohë.

Kështu ka thënë drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi të martën në Mitrovicë gjatë një konference me gazetarë, rreth përgatitjeve operative në ofrimin e sigurisë me rastin e zhvillimit te ndeshjes futbollistike që do luhet të mërkurën në stadiumin ,,Adem Jashari’’ në Mitrovicë .

Sipas tij, Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet logjistike e njerëzore, që kjo ngjarje madhore të zhvillohet pa asnjë ekces.

Ai duke dhënë sqarime për planin operativ, ka dërguar mesazh tek qytetarët që për shkak të punimeve në rrugë Mitrovicë-Prishtinë, qytetarët me automjetet e tyre të shfrytëzojnë rrugën Mitrovicë-Skenderaj-Prishtinë, për shkak të kohës dhe shmangies së kolonave të gjata.

“Sugjerojmë po ashtu qytetarët që t’i shfrytëzojnë parkingjet në mënyrë sa më të mirë të mundshme, për shkak që mos t’i pengojnë njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kaos në komunikacion”, ka thënë Thaçi.

Nënkoloneli bëri të ditur se nesër pjesëtarëve të policisë do t’i dal në ndihmë edhe një njësit tjetër i veçantë, i përbërë nga fëmijët.

“Edhe pse numri i këtyre fëmijëve do të jetë simbolik, ata do të ndihmojnë shumë duke shpërndarë fletushka me informacione për rrugët, parkingjet, si dhe gjësendet e ndaluara në stadium”, theksoi drejtori Thaçi, duke u shprehur i bindur se nesër nuk do të ketë probleme dhe se gjithçka do të shkojë sipas planit.

Në këtë konferencë, edhe pse kishin paralajmëruar prezencën e tyre përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Kompanisë organizuese ‘AS & art events’, ata nuk kanë marrë pjesë. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version