Telegrafi

450 mijë euro për këshilltarin e autostradës për Shkup

Nga tri kompani që kanë marrë pjesë në këtë tender, oferta më e ulët ka qenë e kompanisë shqiptare, përderisa më e larta ka arritur në rreth 870 mijë euro.

Përzgjedhja e këshilltarit të transaksionit nga Ministria e Infrastrukturës (MI) kishte filluar muaj më parë, mirëpo ky proces është përcjellë me dështime të njëpasnjëshme, me ç’rast më herët ishte anuluar ky aktivitet i prokurimit.

Kompania nga Shqipëria muaj më parë kishte bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit(OSHP) në lidhje me vendimin e Ministrisë për anulimin e tenderit, përderisa OSHP-ja kishte hedhur poshtë ankesën e kompanisë, me ç’rast kësaj të fundit ia kishte konfiskuar 500 euro në emër të sigurimit të ankesës.

“Meqenëse pretendimet ankimore të operatorit ekonomik ankues "CMS Adonnino Ascoli& Cavasola Scamoni" janë të paqëndrueshme, i bëhet konfiskimi i sigurimit të ankesës në shumë prej 500 euro”, thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 17 dhjetor 2012.

Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë-Shkup është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash, do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2.2 kilometra. Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë. /Zëri/Telegrafi/