Një peticion me 45 mijë nënshkrime, i iniciuar nga shokët dhe shoqet e tij të klasës, ka bërë që të anulohet vendimi për dëbim në Shqipëri të Glendis Demirit dhe familjes së tij. Ata duhej të ktheheshin më 31 mars prej nga kanë ardhur.
Aktualisht, autoritetet për të huaj vetëm ia kanë vazhduar për një muaj qëndrimin familjes Demiri, për t`i dhënë kohë që gjatë kësaj periudhe të ofrojë më shumë argumente për të merituar të drejtën e qëndrimit në Gjermani, shkruan b.z.de.
Glendisi 14 vjeçar ka një problem shëndetësor me sytë që nuk ka mundësi të trajtohet në Shqipëri, transmeton albinfo.ch. Kujdestarja e tij e klasës, mësuesja Fynny Jeschke thotë¨: “Në Shqipëri një gjë e tillë nuk është e mundur. Ne shpresojmë tash se familja mund të qëndrojë në Berlin për shkaqe humanitare”.
Djaloshi nga Shqipëria ndjek mësimet në një gjimnaz të Berlinit. “Ai na ka hyrë shumë në zemër, përcjell albinfo.ch. Këtu ka gjetur shokë dhe ne e konsiderojmë atë si një shembull të integrimit të suksesshëm”, thotë mësuesja.