Telegrafi

44 vjet nga vdekja e Elvis Presleyt

Elvis Presley u lind më 8 janar 1935 në Tupleo dhe vdiq më 16 gusht 1977 në Memphis, në moshën 42-vjeç.

Konsiderohet ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet si “Mbreti i rock and Roll-it”.

Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjes dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës.

Elvis Presley

Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

Pak kohë pas kësaj, ai realizoi singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marrë pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femërore.

Për herë të parë debutoi në film në vitin 1956 – “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Hawaii në vitin 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore.

Elvis Presley

Falë suksesit të madh, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsye pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtare e pasurisë së Presley është vajza e tij e vetme Lisa Marie Presley.