Site icon Telegrafi

400 familje në Strugë në ‘mëshirën’ e shtetit

Nga 19 dhjetori deri në 27 janar të vitit të ardhshëm të gjithë ata persona që shfrytëzojnë ndihmën sociale nga shteti do të duhet të ripërtërijnë dokumentacion për ta rifituar të njëjtën, shkruan gazeta KOHA.

Në Strugë janë afërsisht 400 familje që të vetmen të ardhur të garantuar kanë ndihmën sociale që shteti dhe shoqëria ndan për këtë kategori. Drejtori i Qendrës Sociale në Strugë, Vegim Nura, konfirmon se janë 385 familje që marrin ndihmën sociale në Strugë, numër i cili do mund të ndryshojë, sepse në proces është riregjistrimi vjetor i kësaj kategorie. Ndërkohë, prej disa vitesh në Strugë funksionon edhe mensa publike ku falas shërbehen 84 vakte për qytetarët nevojtarë të Strugës.

Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen Sociale në Strugë, Nura, potencon se kërkesat për ndihmë sociale janë në nivelet e viteve paraprake dhe nuk vërehen ndryshim thelbësore në shtimin e kërkesave për të përfituar kujdesin e shtetit, gjithashtu edhe kërkesat për ushqim falas te mensa e qytetit janë në po ato nivele. Nura saktëson se nga 19 dhjetori deri më 27 janar do të bëhet ripërtëritja e dokumentacionit e paraparë me ligj për të gjithë kategoritë që shfrytëzojnë asistencën e kësaj qendre. Ndërsa qytetarët nevojtar hedhin poshtë këto pretendime dhe në kushte anonimati, thonë se për të përfituar ndihmën sociale janë krijuar një sërë procedurash dhe rregullash burokratike, që në themel kanë pamundësimin e marrjes së ndihmës sociale.

Se realiteti te disa fatkeq për sigurimin e ekzistencës është një histori e dhembshme dhe me plot vështirësi kjo nuk është diçka e re, njerëz që janë në limitet e mbijetesës detyrohen të presin ndihmën e shtetit, në mënyrë që të shtyn kohën me shpresën se një ditë do të bëhet mirë. Kriza e tejzgjatur ekonomike që po mbretëron prej kohësh në vend, ka dhënë sinjalet e saj edhe në Strugë, ku familje të tëra në pamundësi të mjeteve financiare për të siguruar produktet elementare ushqimore, po shndërrohen në borxhli të përhershëm në shitoret dhe marketet e Strugës.

Marrja me listë e ushqimeve elementare, si mielli vaji, kripa dhe sheqeri, nga shumë qytetar struganë, shpjegohet me krizën e zgjatur ekonomike të cilës nuk po i duket fundi dhe e cila nga dita në ditë po shton radhët e familjeve që përfundojnë në limitet e mbijetesës sociale. Kjo dukuri e cila po masivizohet kohëve të fundit, konfirmohet edhe nga punonjësit e marketeve dhe shitoreve të shumta, të cilët tregojnë se në masë marrja e produkteve elementare me listë, është bërë mbizotërues dhe është rënduar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version