Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), ka publikuar të dhëna të reja mbi lindshmërinë e fëmijëve në vendin tonë nga çiftet e reja. Sipas të dhënave planifikimi familjar te të rinjtë ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me planifikimin familjar të prindërve të tyre. Sipas statistikave të publikuar nga ESHS, 43 për qind e çifteve të martuara kanë vetëm një fëmijë nën 25 vjeç, ndërsa rreth 30 për qind të çifteve të martuara nuk kanë asnjë fëmijë. Ulja e numrit të fëmijëve nga çiftet e reja, nga sociologët komentohet si trend i cili po rritet çdo ditë e më shumë në katër anët e botës.
Sipas tyre edhe në shoqërinë tonë po stigmatizohen çiftet të cilat kanë më shumë se dy fëmijë. Ata kanë shtuar se tendenca për t’u martuar më vonë nga të rinjtë dhe për të mos krijuar familje në moshën e herët, ka prekur të gjithë globin, por në vendin tonë, faktor tjetër të rëndësishëm janë edhe kushtet e dobëta ekonomike dhe migrimi i të rinjve drejtë vendeve evropiane.
Sociologu Ali Pajaziti, për gazetën KOHA, ka deklaruar se çështja e thuajse 1/3-ës së çifteve që nuk kanë fëmijë dhe të një shifre të njëjtë që kanë vetëm një fëmijë flet për një prirje të modernizimit të familjes, të bërthamizimit të saj, të perceptimit para së gjithash kalkulativ-financiar. “Pra gjithçka është bërë matematikë dhe jemi duke i vjelur ‘rendimentet’ e të ashtuquajturit planifikim familjar. Rinia aktuale që hyn në ujërat e martesës nuk kanë tabu si dikur aborti, kanë kontroll të rreptë në marrëdhënie sepse duan një mënyrë jetese ‘më cilësore’ për veten dhe fëmijën e tyre, kështu që dy fëmijë është maksimumi që tolerojnë, ngase edhe presioni social është që nëse keni 3 e më tepër fëmijë jeni out dhe do luftoni për ekzistencë”, deklaroi Ali Pajaziti, sociolog.
Ai në fund shtoi se kjo gjendje pastaj krijon probleme demografike ku kemi fshatra e qytete që zbrazen, probleme ekonomike ku vërehet mungesa e krahut të punës, rënia e numrit të konsumatorëve, politike (sa jemi ne, shqiptarët, sa ata, maqedonasit; rreziku i emigrantëve që në të ardhmen mund të bëhen realitet siç është sot në Perëndim), etj.
Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 538.348 familje, nga të cilat 62 për qind jetojnë në zona urbane dhe 38 për qind në zona rurale. Mbi 26 mijë familje ose 4,9 për qind e familjeve janë nëna të vetme me të paktën një fëmijë nën moshën 25 vjeç dhe mbi 9.000 familje ose 1,7 për qind janë baballarë të vetëm me të paktën një fëmijë nën moshën 25 vjeç. Mbi 10 për qind ose rreth 58 mijë familje janë çifte të martuara me fëmijën më të vogël 25 vjeç që jeton me ata.
Numri i përgjithshëm i familjeve individuale është 598.632, ndërsa numri mesatar i anëtarëve në amvisëri është tre për qind Sipas numrit të anëtarëve në familjet individuale, 468.336 persona ose 25,5 për qind jetojnë në amvisëri me katër persona, ndërsa numri i personave në amvisëri me një person është 103.237 ose 5,6 për qind.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut kishte investuar një buxhet megaloman, për të stimuluar natalitetin, kështu duke tentuar ta nxitë lindshmërinë përmes instrumenteve financiare. Para disa vite u shpik paketa e masave që do të stimulonin lindjen e fëmijës së tretë te çifte, por kjo masë sipas rezultateve dhe deklarimeve të institucioneve shtetërore u tregua se ishte e paefektshme dhe për pasojë e njëjta u shfuqizua. Ndërkohë gjatë vitit 2020, shtesa për fëmijën e tretë u zëvendësua me ndihmën e njëhershme financiare prej 60 mijë denarë, për fëmijën e dytë – 20 mijë denarë dhe për fëmijën e parë vetëm pesë mijë denarë./Koha/