Telegrafi

40.8 milionë njerëz të zhvendosur në vitin 2015

Numri i njerëzve të shpërngulur brenda vendeve të tyre, si pasojë e luftës ose konfliktit, është rritur në 40.8 milionë vitin e kaluar.

“Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe dyfishi i numrit të refugjatëve në gjithë botën”, ka thënë Jan Egeland, udhëheqës i Këshillit Norvegjez për Refugjatë, njëherësh bashkautor i raportit me Qendrën e Monitorimit të Zhvendosjes së Brendshme, me seli në Gjenevë.

Sipas raportit, rreth 8.6 milionë refugjatë të zhvendosur brendapërbrenda janë regjistruar në vitin 2015, përfshirë 4.8 milionë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

“Zhvendosja është intensifikuar që nga Pranvera Arabe në vitin 2010 dhe nga rritja e (grupit militant) Shteti Islamik”, thuhet në raport.

Jashtë Lindjes së Mesme, vendet me numrin më të lartë të të zhvendosurve janë Afganistani, Republika e Afrikës Qendrore, Kolumbia, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Sudani Jugor dhe Ukraina.

Në raport po ashtu thuhet se 19.2 milionë njerëz janë zhvendosur brendapërbrenda vitin e kaluar, si pasojë e katastrofave natyrore.