Ashtu siç e kishim paralajmëruar, 3x3Prishtina sjell aktivitetin e njohur basketbollistik 3×3 për hirë të shënimit të ditës së flamurit.
Ky aktivitet fillon me regjistrimet e gjithsejt tetë (8) skuadrave nga mbarë trojet shqiptare në ora 11.00, ndërsa zyrtarisht hapet në 12.30 me nderim të viktimave të tragjedisë së djeshme.
Para fillimit të ndeshjeve zyrtare në mes të ekipeve garuese, zhvillohet lojë në mes të ekipeve të përbëra nga personat me aftësi të kufizuara, përdorues të karrocave, ndërsa pas tyre zhvillohet loja e veteranëve të basketbollit shqiptar nga Kosova.
Organizatorët konfirmojnë karakterin solidarizues të organizimit në fjalë duke kontribuar financiarisht për të siguruar sasi të caktuar të ushqimit për banorët e zonave të prekura nga tërmeti, si dhe lëngje, fruta e ujë nga partnerët mbështetës. Poashtu, vullnetarët e OJQ 3x3Prishtina do të bëjnë grumbullimin dhe transportimin e gjësendeve që mund të sillen nga qytetarët pjesëmarrës në këtë organizim, përfshi veshëmbathje, ujë, batanije e të tjera gjëra esenciale për të përballuar kushtet e vështira me të cilat përballen qytetarët në ato zona.
Të gjitha të kontributet do të dërgohen direkt në kampet ku janë duke qëndruar banorët e zonave të prekura dhe do të dokumentohen në detaje tek të gjithë kontribuesit.
Krejt në fund, theksojmë se në këtë aktivitet do të marrin pjesë edhe nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme të cilët do të përballen mes vete në lojën e 3×3 basketbollit. Para finales, në parket pritet të shfaqen artistët ‘Gigja’ dhe ‘Nazi’ në përballjen 1 kundër 1.