Telegrafi

38 studentë nga Universiteti Leiden i Holandës vizitojnë Kosovën

38 studentë nga Universiteti Leiden i Holandës janë duke qëndruar në Kosovë. Studentët janë në degën e antropologjisë në këtë Universitet dhe vizita e tyre në Kosovë ka për qëllim që ata të kuptojnë nga afër kulturën, sjelljen shoqërore dhe strukturën ekonomike dhe fetare të vendit.

Antropologjia është shkenca që studion njerëzimin në të gjitha këndvështrimet dhe veprimet jetësore, qoftë shoqërore ashtu edhe kulturore dhe fizike.

Nikoqir i tyre ishte RIT Kosovë (A.U.K) ku ata u takuan me studentët nga ky kolegj Amerikan dhe shkëmbyen përvojat dhe këndvështrimet e tyre rreth historisë së kohëve të fundit dhe zhvillimeve shoqërore në vend.

Me rastin e vizitës, Drejtori Akademik i RIT Kosovë (A.U.K) Daniel Cosentino njoftoj studentët nga Holanda se “Antropologjia Kulturore është pjesë e kurrikulës së RIT Kosovë (A.U.K) si pjesë e studimeve të përgjithshme të shkencave shoqërore që studentët tek ne bëjnë. Përmes saj, studentët e RIT Kosovë (A.U.K) ndërgjegjësohen dhe zhvillojnë njohuri për kultura të ndryshme duke rritur kështu aftësinë e tyre për të bashkëvepruar me të gjitha kulturat tjera”, shtoi ai.

Studentët e Leiden do të vizitojnë edhe Maqedoninë dhe Serbinë gjatë vizitës së tyre. /Telegrafi/