Site icon Telegrafi

365 ditë në tendë, grevën nuk e ndalin (Foto)

Edhe pse kanë kaluar 365 ditë kur kanë filluar grevën, ish-punëtorët e fabrikës se Tubave në Ferizaj, nuk e kanë ndërmend të largohen nga tenda, derisa t’i përmbushin qëllimet e tyre. Ata tendën e kanë vendosur para një viti në shesin afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Netët e acarta të dimrit dhe as i nxehti përvëlues i verës, nuk kanë ndikuar që ish-punëtorët e kësaj fabrike të bëjnë kompromise më kërkesat e tyre.

Ahmet Sylejmani, njëri nga ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, i cili ka qenë i vendosur në tendë që nga fillimi, thekson se nuk e kanë ndërmend që të largohen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ai ka treguar për një mori kërkesash që ia kanë bërë shefit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, për ta zgjidhur problemin e tyre, mirëpo sipas tij, kjo ka hasur në veshin e shurdhër.

“Ne, madje edhe jemi kërcënuar. Në një rast disa persona na janë ofruar te tenda dhe na kanë kërcënuar duke na thënë se duhet të dalim prej këtu. Nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojnë më asnjë kusht largimin prej kësaj tende, deri në plotësimin e kërkesave tona. Ne nuk mund t’i tradhtojmë 912 ish-punëtorët e kësaj fabrike, të cilët na kanë besuar këtë obligim”, ka thënë Sylejmani për Telegrafin.

Sipas tij, shumë prej grevistëve më të cilët qëndrojnë së bashku në tendë, kanë marrë ndihmë mjekësore, qysh prej fillimit të vendosjes në këtë tendë, tash e një vit më parë. “Disa, për shkak të kushteve jot e mira, kanë problem me barkëqitje, problem të frymëmarrjes, hipertension”, tregon Sylejmani.

“Shumica e shokëve tanë që kanë qenë këtu dhe që janë prezentë edhe tani, nuk janë të rinj në moshë, andaj komplikimet shëndetësore janë edhe si rezultat i moshës. Deri më tani numri i atyre që kanë qenë në tendë, shkon në 45. Për momentin jemi vetëm tetë. Njëri nga shokët tanë, i cili ka patur probleme me zemër, ka ndërruar jetë. Kur ka ndërruar jetë nuk ka qenë në tendë, për shkak të gjendjes së tij të vështirë është dashur të largohet”, ka thënë ai.

Sylejmani sqaron se para pak ditësh i ka rastisur që ta takojë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, të cilit i ka kërkuar takim dhe ai i është përgjigjur se nuk ka kohë, duke i thënë se “do të vijë një ditë t’i takojë”.


“Ushqimet dhe pijet na i sjellin ish-kolegët. Shokët tonë kujdesen për ushqimin tonë vazhdimisht, qysh prej kohës kur kemi hyrë në grevë tash e një vit”, tha ai.


Ndryshe, Fabrika e Gypave në Ferizaj është privatizuar në vitin 2007, më metodën e spin-off –it special. Por, mbi 25 milionë euro ish-punëtorët konsiderojnë se i takojnë atyre. Ata këmbëngulin se nuk do të zmbrapsen, deri sa t’i marrin 25 milionë eurot që u takojnë edhe sipas vendimit të Gjykatës. Kjo çështje është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, dhe ka qenë pikë e përplasjes në mes ekzekutivit dhe legjislativit kosovar.

/Blendi Devolli/Telegrafi/

Exit mobile version