Site icon Telegrafi

352 mijë objekte pa leje, 400 aplikacione për legalizim

Aplikimi për legalizim të ndërtimeve pa leje ka nisur më 16 shtator të vitit 2015 dhe afati i fundit për aplikim është data 16 mars 2016. Nga 352 mijë e 836 ndërtime, aq sa është numri i atyre që janë regjistruar në regjistrin shtetëror në tërë territorin e Kosovës, deri më tani për legalizim kanë aplikuar rreth 400 palë

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje nuk po del ashtu siç është llogaritur nga shteti.

Nga 352 mijë e 836 ndërtime, aq sa është numri i atyre që janë regjistruar në regjistrin shtetëror në tërë territorin e Kosovës, deri më tani për legalizim kanë aplikuar rreth 400 palë.

Aplikimi për legalizim ka nisur më 16 shtator 2015 dhe afati i fundit për aplikim është data 16 mars 2016. Sipas kësaj ecurie, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me komunat, do të detyrohet që të shtyjë edhe më tej fazën e aplikimit për legalizim.

Sipas njohësve të planifikimit hapësinor problemi kryesor është te kërkesat që i ka vendosur si kriter për aplikim Qeveria.

“Problemi kryesor qëndron në kërkesat për legalizim që nuk përkasin me realitetin dhe gjendjen faktike, e sidomos kërkesat për projekte me përmbajtje që vështirë janë të zbatueshme dhe me kosto të madhe. Vetë UNESCO në një raport këshillues për vendet e Ballkanit ka sugjeruar lehtësime në procesin e legalizimit, e Kosova aplikon kritere të pazbatueshme që gjenerojnë kosto dhe punë të panevojshme. Ministria duhet të ndryshojë kritere ashtu siç ka premtuar e jo të eksperimentojë”, ka thënë arkitekti Valdet Osmani, i cili më herët ka qenë kritik edhe në përpilimin e Ligjit për Legalizim. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version