Site icon Telegrafi

34 vjet nga Deklarata kushtetuese e 2 korrikut, LDK: Shënon gurthemelin e shtetësisë së Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot 34-vjetorin e Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

LDK thekson se 2 korriku i vitit 1990 shënon gurthemelin e shtetësisë së Kosovës, ngjarjen e veçantë të vendit në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

“Nën rrethimin policor e ushtarak serb 114 delegatë, morën guximin ta shpallin Kosovën si njësi të pavarur dhe me të drejta të barabarta brenda federatës së asaj kohe. Si dhe rikonfirmuan vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës, për të qenë e pavarur dhe demokratike.

Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë”, thekson LDK.

LDK thekson se në këtë datë të rëndësishme shprehin mirënjohjen për delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut, për guximin në atë kohë me kushte shumë të rënda, në artikulimin e vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, kujtohet si moment kthese i rrugëtimit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe në miqësi të përhershme me ShBA-të”, thuhet në deklaratën e LDK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version