Site icon Telegrafi

33 vjet nga Referendumi për pavarësi, Buxhovi: Beogradi nuk mundi të ndërpresë vullnetin e popullit

Sot shënohet 33-vjetori i Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, një ngjarje historike e rëndësishme që e hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.

Referendumi u mbajt më 26 shtator 1991, me vendim të Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte miratuar më 7 shtator 1990.

Siç thekson shkrimtari dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, “në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës”, duke konfirmuar kështu “Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, të miratuara një vit më parë.

Buxhovi tutje shton se kjo ngjarje ishte një shprehje e qartë e vullnetit politik të popullit të Kosovës, pavarësisht “represionit të madh policor” nga qeveria e Beogradit, e cila nuk mundi ta pengonte referendumin.

Ky plebishit shënoi evoluimin politik nga kërkesa për barazi kushtetuese në federatë drejt një shteti të pavarur.

Buxhovi thekson se ky proces “filloi të jetësohet me krijimin e institucioneve shtetërore”, duke kontribuar në formimin e një “shteti paralel” që veproi deri më 12 qershor 1999, kur Kosova u vendos nën protektoratin ndërkombëtar.

Kjo ditë historike mbetet themeli i shtetformimit të Kosovës dhe një përkujtim i rëndësishëm që na udhëheq në reflektimin mbi rrugën tonë drejt pavarësisë, e cila u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. /Telegrafi/

Exit mobile version