Së paku 31 persona kanë vdekur në Pakistan si pasojë e helmimit nga konsumimi i alkoolit gjatë festimit të Krishtlindjeve, njoftuan sot burime spitalore.
Dhjetëra njerëz janë shtruar në spital si pasojë e konsumimit të pijeve helmuese, tha një zyrtar policor për AP.
Shumica e viktimave janë pjesëtarë të komunitetit të krishterë, transmeton KosovaPress.
Në mesin e viktimave është një prodhues i pijeve toksike, tha për Reuters zyrtar i lartë i policisë, Bilal Kamjan.
Kamjan shtoi se pija helmuese është shitur në shtëpi në qese plastike, për rreth pesë dollarë.
Në Pakistan, ku shumica e popullsisë janë myslimanë, shpesh herë vdesin qytetarë që konsumojnë pije alkoolike helmuese, pasi ajo prodhohet kryesisht ilegalisht dhe nuk ka kontroll te cilësisë.