Telegrafi

Më 31 mars Gjykata Penale merr vendim për rastin “Transportuesi”

Me fjalët përfundimtare të të akuzuarve në rastin “Transportuesi”, sot në Gjykatën Penale ka përfunduar procesi gjyqësor që ka të bëjë me transportin e nxënësve në Komunën e Manastirit.

Aktgjykimin për të akuzuarit do ta shqiptojë gjykatësja Dobrilla Kacarska, më 31 mars (të martën), përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në pritje të aktgjykimit të shkallës së parë, ajo që më shumë i shqetëson të akuzuarit, janë harxhimet e shumta që duhet t’ua paguajn avokatëve, të cilët sipas disa përllogaritjeve arrijnë edhe disa milionë denarë.

Ndryshe, në rastin “Transportuesi” përveç ish-kryetarit të Manastirit Vlladimir Taleski, të akuzuar janë edhe ish-sekretari i komunës Sllobodan Bonçanovski dhe 19 persona tjerë, drejtorë të shkollave të mesme dhe fillore, si dhe drejtues të kompanive transportuese./Telegrafi/