Presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, deklaroi përpara Parlamentit Europian se do të prezantojë planin e tij të investimeve prej 300 miliardë euro deri në fund të këtij viti, që ka për qëllim të mbështesë rritjen ekonomike dhe të krijojë vende të reja punë.
Juncker shtoi se investimet janë jetike për rikthimin e rritjes dhe hapjen e vendeve të punës. Por Gjermania, ekonomia dominuese e Europës, po i reziston thirrjeve për të shpenzuar më tepër në mbështetje të ekonomisë. Megjithatë ish-kryeministri konservator i Luksemburgut, shtoi se, ashtu siç ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel, pjesa më e madhe e 300 miliardë eurove do të sigurohen nga investitorët privatë dhe qeveritë duhet të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll deficitet e tyre buxhetore.
“Nëse ju na jepni mbështetjen tuaj, ne do t’ju prezantojmë paketën e punësimit, rritjes dhe investimeve përpara Krishtlindjeve”, tha Juncker përpara parlamentit në Strasburg, duke shtuar se investimet duhet të fokusohen në përmirësimin e eficencës ekonomike dhe jo në shpenzime afatshkurtra. Por Berlini poi rreziston thirrjeve nga shtetet e tjera të Eurozonës për të rritur investimet publike në mënyrë që të mbështesë rritjen ekonomike në continent.
Juncker tha gjithashtu se rregullat buxhetore të Bashkimit Europian, që kufizojnë masën e deficiteve qeveritare dhe borxhin publik, nuk do të ndryshojnë. Komisioni po përgatitet të rishikojë rregullat dhe efektivitetin e tyre deri në mes të dhjetorit, ndërsa Franca dhe Italia kanë kërkuar më shumë liri veprimi për të konsoliduar buxhetet e tyre. /Telegrafi/