Të mbash klub futbolli në Kosovë është shumë vështirë, ngase duhet të investosh shuma të mëdha parash, por nuk përfiton asgjë, edhe nëse arrin t’i fitosh të gjitha trofetë. Andaj, çdo investitor gjithnjë e ka shumë të vështirë të mbijetojë në futbollin kosovar. Madje, për shumë ‘milionerë’ futbolli kosovar ka dalë të jetë fatalitet. Siç dihet, prej pasluftës e këndej, shumë njerëz të pasur kanë hyrë nëpër klube, në të cilat kishin nis të investonin, por vetëm pas pak vitesh ata bankrotonin, dhe dilnin me gjepa të zbrazët nga futbolli kosovar.
Mirëpo, është një donator i cili ka arrit t’i mbijetojë me sukses këtij fenomeni. Fjala është për familjen Baholli, e cila rrafsh qe 30 vite vazhdon ta mirëmbajë 2 Korrikun, por asnjëherë nuk është rrezikuar nga falimentimi.
Vëllezërit Rexhep e Shaban Baholli e menaxhojnë 2 Korrikun prej vitit 1984. Rexhepi si president, kurse Shabani si menaxher. Ata kanë investuar aq shumë në këtë klub, saqë as vetë nuk e dinë shumën e parave që i kanë ‘derdhur’ në Arbëri.
“Nuk kemi guxuar të bëjmë llogari se sa para kemi investuar deri më tani në 2 Korrik”, thotë duke qeshur Shabani në një bisedë për Arenën.
“Mirëpo, një gjë e di: sikur të vrapoja pas biznesit siç kam vrapuar e vazhdoj të vrapoj pas futbollit, kisha me qenë shumë më i fortë financiarisht”, theksoi ai.
Por, i pyetur se si ka arrit familja e tij t’i shpëtojë falimentimit, në dallim prej shumë investitorëve të tjerë që tashmë kanë bankrotuar duke investuar në futboll? Shabani u përgjigj: “Ne nuk kemi pasur eufori. Kemi investuar aq sa kemi pasur mundësi. Ne jemi ndihmuar shumë nga Shkolla e Futbollit. Nuk kemi blerë lojtarë, por gjithnjë kemi pas futbollistë që vet i kemi prodhuar. Andaj, shpenzimet i kemi pas më të vogla. Kemi qenë të afërt me prindërit e lojtarëve, me trajnerë, me sponsorë e tifozë dhe të gjithë ata na kanë ndihmuar, nëse jo me para, na kanë ndihmuar në mënyra tjera”.
Ai shpreh keqardhje për shumë njerëz të cilët dikur ishin ‘milionerë’, por duke investuar në futboll, ata kishin mbet me xhepa të zbrazët. “Më vjen shumë keq për të gjithë ata, sepse unë e kam qit veten në pozitë të tyre, dhe është diçka shumë e rëndë”, tha ai.
“Ata kryesisht kanë përfunduar në atë mënyrë shkaku i euforisë. Investonin shuma të jashtëzakonshme brenda një kohe të shkurtë, e fitonin ndoshta ndonjë trofe, por pastaj menjëherë binin, siç ka ndodh me Besianën, Dritën e të tjera. Kurse, Getoari pati shpëtuar, sepse herët e kuptoi rrezikun dhe u tërhoq”, vazhdoi ai.
Nuk mund të ndahen nga 2 Korriku
Vëllezërit Baholli nuk e dinë saktësisht sa para ia falën 2 Korrikut gjatë 30 viteve të deritanishme, por janë të vetëdijshëm në pyetje janë shuma të mëdha të parave. “Vetëm tani i shpenzojmë mbi 7 mijë euro në muaj”, thotë Shaban Baholli, i cili nga të hyrat i nxjerr vetëm rreth 25 përqindëshin e shpenzimeve. I pyetur se a i ka shkuar ndërmend atij dhe vëllait të tij, Rexhepit për t’u tërhequr nga futbolli, Baholli u shpreh: “Mendja të shkon për t’u tërhequr, por assesi nuk mundësh ta marrësh një vendim të tillë. Gjithnjë na mban shpresa se një ditë do të bëhet më mirë”.
Baholltë ndihen krenarë
Vëllezërit Baholli deri më tani i kanë dhënë shumë futbollit, por ata krejt çka kanë përfituar nga ky sport, është krenaria. Kjo pasi nga duart e tyre kanë dalë futbollistë të mëdhenj e të njohur kosovarë, siç janë: Etrit Berisha, Labinot Haliti, Blerim Rrustemi, Endrit Krasniqi, Korab Hyseni, Fadil Ademi, Mentor Zhdrella, Alban Dragusha, Driton Krasniqi, Festim Krasniqi, Drilon Berisha, Driton Vokshi, Semir Zeneli, e shumë e shumë të tjerë. “Këta emra më bëjnë të ndihem krenar. Kur i shikoj futbollistët e tillë duke luajtur me sukses, gëzohem kur e di që kanë dalë nga klubi ynë”, thotë Shaban Baholli.
30 vjet, një kupë
Qe 30 vite e menaxhojnë 2 Korrikun, ku kanë investuar shuma të mëdha parash, e që kanë nxjerrë futbollistë kampionë, por për veti nuk kanë fituar as para, por as trofe. Krejt çka ka fituar ky klub deri më tani është një Kupë e Kosovës dhe dy tituj kampioni me juniorë, çka tregon se politika e 2 Korrikut ka të bëjë vetëm me të rinj.
“Ta fitosh titullin e kampionit tani, i fiton vetëm 40 mijë euro, por duhet të investosh 200 apo 300 mijë euro. E madje, as me aq investime nuk e ke të sigurt titullin”, u shpreh Baholli, duke treguar se qëllimi i 2 Korrikut nuk janë trofetë, por prodhimi i futbollistëve. “Planet tona për të ardhmen lidhen me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Ne jemi duke u përgatitur. Atëherë do t’i shkollojmë kuadrot tona, do të bëjmë menaxherë të shkolluar e licencuar, administrator që i njeh ligjet e futbollit, gjithashtu sekretarin. Andaj, ne veç jemi duke planifikuar se çka të bëjmë pas ndërkombëtarizimit”.
E gjithë familja ‘2 Korrik’
Të gjithë anëtarët e familjes Baholli janë shumë të lidhur me 2 Korrikun. Rexhep Baholli është president, kurse Shabani menaxher i përgjithshëm. “Asnjëherë nuk bimë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Shkojmë jashtëzakonisht mirë. E marr një vendim, Rexhepi më thotë: Shaban, a ke menduar mirë? I them: Po. Më thotë: në rregull, bëje”, theksoi Shabani.
Rexhepi e Shabani e kanë edhe një tjetër vëlla – Ramadanin. Ky i fundit nuk merret me menaxhim të klubit, por është gjithnjë pranë 2 Korrikut dhe tifoz i madh i klubit.
Por, për këtë klub kanë bërë shumë e gjithë familja Baholli. “Familjarisht jemi të lidhur me 2 Korrikun. Rexhepi kryetar, unë menaxher, kurse Ramadani tifoz i madh. Në të kaluarën, bashkëshortja ime i pastronte fanellat e futbollistëve. Djemtë dhe vajzat tona qepnin flamuj të shumtë për të bërë tifo për 2 Korrikun. Më kujtohet gati deri në mëngjes të gjithë qepnin flamuj për finalen e kupës, të cilën e patëm fituar”, theksoi Shaban Baholli. /Tribuna/Telegrafi/