Në Tiranë jeton 30% e popullsisë së të gjithë Shqipërisë. Shqipëria renditet e 11-ta në Europë për numrin e lartë të njerëzve që janë vendosur në kryeqytet.
Shqipëria ia kalon të gjithë vendeve ballkanike madje dhe Austrisë e Gjermanisë për numrin e lartë të popullsisë së përqëndruar në kryqytetit. Në një hartë të përpiluar nga Jakubmarian për çdo vend tregohet popullsia e kryeqytetit si përqindje e popullsisë së përgjithshme të tij.
Sa më i madh numri, aq më shumë vendi është i centralizuar rreth kryeqytetit të tij.
Shqipëria renditet shteti i 11-të në Europë. Sipas shifrave të 2016-s, në kryeqytetin shqiptar jeton 30% e popullsisë totale. Vendin tonë në Ballkan, e ndjek Mali i Zi, me po të njëjtën shifër, Kosova me 28%, Maqedonia dhe Serbia me 24% dhe Bosnjë–Hercegovina me 11%.
Ndërsa në Europë shteti më i “centralizuar” dukshëm është Malta, me 90% të popullsisë që jetojnë në kryeqytet; ndiqet nga Luksemburgu 76% dhe Islanda 65%. Vendet me më pak përqindje të popullsisë së tyre që jetojnë në kryeqytet janë Ukraina 7%, Zvicra dhe Gjermania 5%./ABC News