Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit G.P për shkak të kanosjes së personit zyrtar.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se më 28 mars, në orët e pasdites, në zyrat e objektit të Komunës së Prizrenit, ndaj personave zyrtar në lidhje me punën e tyre zyrtare i kanos të dëmtuarët S.T dhe Ç.L.,
“… në atë mënyrë që për shkak të një tenderi, i pandehuri paraqitet në zyrat e Komunës së Prizrenit– ku punojnë të dëmtuarit, dhe të dëmtuarit S.T., – menaxher i projektit i kanoset me fjalët ‘………., ka me të vra para Komune, nuk ke ke gëzu pensionin’ ndërsa personit tjetër zyrtar _ Ç.L., Drejtor i Shërbimeve publike, i pandehuri e kanos me fjalët ‘Nuk guxon kush me ndërpre kontratën’, si pasojë e kësaj të dëmtuarve u shkakton frikë, shqetësim dhe pasiguri. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, pasi që i pandehuri dyshohet se seriozisht ka kanosur personat zyrtar. /Telegrafi/