Gjykata Penale e Shkupit sot njoftoi se seanca e parë për rastin “Haraçi” do të mbahet më 3 dhjetor.
Në këtë lëndë të akuzuar janë Bojan Jovanovski, Katica Janeva dhe Zoran Milevski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas aktakuzës, Jovanovski dhe Milevski ngarkohen për veprën penale “marrje e dhuratës për ndikim joligjor”, ndërsa Jovanovski akuzohet edhe për “larje parash”. Kurse Katica Janeva akuzohet për veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Jovanovski dhe Milevski nga afaristi Orce Kamçev kanë marrë 1.500.000 euro, ndërsa Janeva ka marrë mobilje dhe 50 mijë euro, për t’i lehtësuar rrethanat Kamçevit në rastin “Perandoria”, në të cilin Kamçevi ka qenë i dyshuar për larje parash.
Hetimet për këtë lëndë muajin e kaluar u zgjeruan edhe ndaj katër personave, në mesin e të cilëve edhe deputetja e LSDM-së Frosina Remenski, Jasna Mandiq, Mile Jovanovski, dhe Hristina Bllazhevska./Telegrafi/