Parlamenti kinez ka zgjedhur me unanimitet të plotë Xi Jinping si President të vendit duke konfirmuar kështu hegjemoninë e tij.
Ashtu siç pritej, ndaj tij nuk pati as edhe një votë kundër nga delegatët e partisë.
Një javë më parë, parlamenti kinez votoi për të ndryshuar Kushtetutën, duke eliminuar kështu kufizimin e mandateve për Presidentin e Republikës Popullore. Kjo jo vetëm që i mundësoi Xi Jinping rizgjedhjen, por i jep edhe mundësinë të qëndrojë për shumë mandate të tjera në krye.
Zëvendëspresident ndërkohë u votua njeriu i besuar i Xi Jinping, Wang Qishan, i cili ndër 2,970 vota, i’a doli të merrte një vote kundër.
Zgjedhja e tij konfirmon edhe një herë autoritetin e padiskutuar të Xi Jinping mbi Partinë Komuniste e për rrjedhojë edhe mbi ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Wang ndërkohë njihet ndryshe edhe si ‘luftëtari’ për shkak të qasjes së tij ndaj zgjidhjes së problemeve të brendshme, si korrupsioni apo çështjet financiare. /Telegrafi/