Telegrafi

29 vjeçari nga Manastiri privohet nga liria, parashtrohet kallëzim penal për zhvatje

Është ndaluar një 29-vjeçar nga Manastiri, i cili dyshohet se në disa raste përmes një rrjeti social e ka kërcënuar një grua 49-vjeçare dhe familjen e saj dhe në këtë mënyrë nga ajo ka marrë rreth 400.000 denarë.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot se 29-vjeçari N.D. është kapur duke marrë para nga gruaja, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Manastir është kryer bastisje në shtëpinë e tij, gjatë së cilës janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë gjuetie, patronë të llojeve të ndryshme për pushkë gjuetie si dhe sende të tjera për të cilat ekziston dyshimi se rrjedhin nga vepra penale.

Personi është arrestuar në stacion policor dhe kundër tij me procedurë të shpejtë është parashtruar kallëzim penal sipas nenit 258 të Kodit Penal, kurse nga gjykatës në procedurë paraprake i është përcaktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.