Ilir Meta
Në historinë e kombit sh qiptar, kudo që jeton, data e 28 Nëntorit është kryefesta më përbashkuese. 28 Nëntori, i shtrirë në një hark pesëshekullor, lidh dy ngjarje madhore të historisë sonë: Çlirimin e Krujës nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 1443 dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë, nga Ismail Qemali në vitin 1912. Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, ndërtuan urën 500-vjeçare, që e nxori Kombin Shqiptar nga mesjeta e errët dhe e vendosi atë në panteonin e popujve më të vjetër të Kontinentit Europian.
Dita e madhe e Shpalljes së Pavarësisë hodhi rrënjë dhe u formësua në vitet e ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, e cila rreth figurës së Skënderbeut ndërtoi forcën e pavdekësisë së identitetit kombëtar dhe luftës së popullit tonë për liri e pavarë- si. Kjo ditë e lavdishme u kurorëzua falë patriotëve që formuan Lidhjen e Prizrenit dhe atdhetarëve dhe dijetarëve që u mblodhën në Kongresin e Manastirit, dy institucionet historike të kombit tonë në ditët e vështira të mbijetesës. Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, dhe themeluesin e shtetit tonë, Ismail Qemalin, i bashkoi qëllimi i njëjtë atdhetar për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Idealet atdhetare të lirisë dhe pavarësisë kanë qenë dhe mbeten ylli polar i ndërgjegjes së popullit shqiptar. Askush më shumë se këta dy kolosë të historisë sonë nuk investoi në formimin e ndërgjegjes atdhetare shqiptare. Ata na mësojnë se, pa ideale të larta atdhetare, nuk ka qëllime të ndritura dhe pa qëllime të ndritura, nuk ka vepra të mëdha në dobi të Kombit. Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali, së bashku me mbështetësit e tyre, janë farkëtuesit më të fuqishëm të unitetit politik mbarëshqiptar.
Këto dy personalitete të mëdha, më shumë se kushdo tjetër në historinë shqiptare, kuptuan se ndasitë përçarëse mes shqiptarëve përbëjnë rrezikun e kërcënimin më të madh dhe se fuqia e vërtetë e shqiptarëve qëndron te bashkimi i tyre. Fitoret e arritura nën udhëheqjen e këtyre prijësve të ndritur shqiptarë kanë lënë pas mësimin historik për kohët tona se pa unitet politik dhe gjithë përfshirje mbarëshqiptare, nuk mund të projektohen qëllimet madhore atdhetare dhe nuk mund të përballen sfidat e çdo kohe dhe të çdo lloj natyre.
Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, dhe Themeluesi i Shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali, janë mbështetur te tiparet më të qëndrueshme të identitetit kombëtar dhe i kanë ngritur ato më lart me veprat e tyre. Ndonëse në kohë dhe rrethana të ndryshme tejet sfidante, këta dy burra të mëdhenj të Kombit tonë arritën që tiparet qenë- sore të identitetit shqiptar t’i vendosnin në piedestalin e vlerave më të larta europiane. Në këtë kontekst, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemali na kanë lënë mesazhin e patjetërsueshëm se identiteti kombëtar shqiptar është unik dhe njëkohësisht i pandashëm nga vlerat e qytetërimit europian. Vepra e tyre na mëson se çdo gjë i lidh shqiptarët me Europën dhe asgjë nuk i ndan prej saj.
Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, e lidh ngushtësisht me Themeluesin e shtetit tonë të pavarur, Ismail Qemalin, modeli i një lidershipi shqiptar. Ky model dallohet nga mbështetja te traditat kombëtare, përkushtimi ndaj aspiratave popullore, gatishmëria për sakrifica sublime, gërshetimi i trimërisë dhe mençurisë, i diturisë dhe përvojës, i forcës dhe diplomacisë, i fuqisë kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Skënderbeu dhe Ismail Qemali, me bashkëkohësit e tyre të ndritur dhe veprat e tyre, lartësuan imazhin e kombit shqiptar në botë.
Krahas 28 Nëntorit, datës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, sot përkujtojmë edhe 29 Nëntorin 1944, datën e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazi-fashist. Në këtë datë historike, ne krenohemi me renditjen e popullit shqiptar përkrah Aleancës Antifashiste Botërore, si dhe përkulemi me mirënjohje të veçantë për dëshmorët dhe heronjtë që dhanë jetën e tyre për Çlirimin e Shqipërisë. Vepra e tyre shërbeu si simbol i bashkimit për idealet e lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe frymëzim për rikthimin tonë përkrah Aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA, NATO dhe Bashkimit Europian.
Këto momente kulmore të historisë së lavdishme të popullit shqiptar na shërbejnë për reflektime të mëdha në mobilizimin e energjive mbarëkombëtare, për ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë, për konsolidimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, forcimin e institucioneve, respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Në të njëjtën kohë, ne riafirmojmë vullnetin e vendosmërinë tonë për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe bashkëpunimin e palëkundur me aleatët tanë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar. Ne besojmë dhe do të punojmë që viti 2018 do të kurorëzojë përpjekjen tonë për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian si dhe njëkohësisht të garantojë të drejtën legjitime të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur të lirë në hapësirën “Shengen”.
“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut” do t’i shërbejë para së gjithave rinisë shqiptare për të forcuar ndjenjat e atdhetarizmit, frymën e besimit dhe të shpresave të mëdha se atdheu i Gjergj Kastriotit dhe i Ismail Qemalit është më i bukuri në botë, është vendi i bekuar ku do të realizohen ëndrrat, idealet dhe dëshirat e tyre.