Telegrafi

Më 28 korrik do të zhvillohet një ndeshje testuese në stadiumin “Fadil Vokrri”

Në konferencën e sotme (e hënë) për media, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se në stadiumin e Prishtinës, që tashmë e ka marrë emrin ‘Fadil Vokrri’, më 28 korrik do të zhvillohet një ndeshje testuese.

“Sot jemi në këtë konferencë për media të parën pa ish presidentin Vokrri dhe t’ju them se sot është ditëlindja e tij, i cili nuk gjendet në mesin tonë dhe është ditëlindja e parë pa të dhe për këtë kemi bërë një përgatitje për ta shënuar ditëlindjen e tij”.

“Do të zhvillohet një ndeshje në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku do të luajnë veteranët e Prishtinës dhe Llapit, futbollist i të cilave ishte presidenti”.

“Pasdite adhuruesit Dardanët kanë bërë një koreografi të veçantë për nderim të figurës së ish-presidentin Fadil Vokrri prej orë 19:00. Ndërkaq, që sot ju kemi ftuar për t’ju njoftuar edhe për ndeshjen e cila do të zhvillohet më 28 korrik në stadiumin e qytetit që tashmë e ka marrë emrin ‘Fadil Vokrri’ në orën 20:00”.

“Do të luajnë veteranët e Flamurtarit të Vlorës dhe veteranët e KF Prishtina, e këto ishin ndeshur edhe më herët. Qëllimi i kësaj ndeshje është për ta nderuar figurën e Fadil Vokrrit, por edhe për ta testuar stadiumin”.

“Testimin do ta bëjnë inspektorët e UEFA-s. Testimi do të bëhet komplet duke filluar nga qasja e shikuesve, qasjet rrugore, lëvizja e njerëzve jashtë dhe brenda stadiumit. Sistemet e kontrollit dhe sigurisë, Infrastruktura sportive hapësirat e brendshme sportive dhe të tjera. Siç e thamë pjesëmarrës do të jenë FC Prishtina, FC Flamurtari Vlorë, dhe Estrada dhe politika do ta bëjnë një skuadër. Do të luhet me sistemi secili me secilin për të përmbushur kohën e plotë prej 90 minutave”.

“Ndaj ftohen qytetarët që të vijnë në numër sa më të madh, do të kenë biletat gratis dhe të pranishëm do të jenë Inspektorët e UEFA-s të cilët do të bëjnë vlerësimin dhe do të japin leje për zhvillimin ndeshjeve për Ligën e Kombeve që fillojnë në shtator por dhe për ndeshjet e skuadrave tona që marrin pjesë në garat evropiane”.

“Ndaj, kërkojmë përkrahjen e mediave dhe të qytetarëve që të jenë në numër sa më të madh. Nevojitet një numër mbi 3.000 shikues për të arritur numrin e duhur për testim, ku do të ketë edhe ketering falas”.

“Unë besojë shumë që më 28 korrik në stadiumin Fadil Vokrri do të jetë një numër i madh i adhuruesve dhe do të kemi vlerësim pozitiv. Kemi shtuar angazhimet tona, njëjtë edhe Ministria dhe punëkryesi, i cili ka zgjatur orarin dhe ka shtuar numrin e punëtorëve në mënyrë që më 28 korrik çdo gjë të jetë në nivelin e duhur dhe të kërkuar”, është shprehur Ademi, citon faqja e FFK-së. /Telegrafi/