Telegrafi

Më 27 qershor në Teatrin ‘Dodona’, do të bëhet leximi skenik “Redlight in Sunday”

Më 27 qershor nga ora 20:00 në Teatrin Dodona do të bëhet leximi skenik “Redlight in Sunday”, me autor Butrint Pasha.

“Redlight in Sunday”, vihet në jetë nga aktorët Adrian Morina dhe Zana Berisha.

Në një kabinet të një akademie të arteve takohen Profesor Mudi dhe Trëndelina, një aktore e re që po diplomon. Është e diel, dhe profesori e ka ftuar për herën e tretë në zyrë studenten e tij për të përzgjedhur temën e diplomës. Një bisedë e tensionuar për shkak të epsheve të profesorit ndaj Linës, do të çojë në krijimin e një ngacmuesi të ri.

Kjo dramë iu dedikohet të gjitha vajzave të larguara dhe të përjashtuara nga shoqëria, për shkak të ngacmimeve seksuale që iu kanë ndodhur në familje, shkollë apo punë. Ngjarja është e vendosur në universitet, një mjedis që përgjithmonë ka ruajtur vlerat në zhvillimin e shoqërisë, por që sot në Kosovë ka kollapsuar dhe zbrazur nga përgjegjësia morale. Raporti profesor-student ka degraduar në esencë, e poashtu hapësira e krijuar në këtë raport, për shkak të respektit të ndërsjellë ka shkaktuar zbehje të respektit dhe dinjitetit.

Ky lexim skenik mbështetet nga Fondi për Art Feminist i organizatës Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Regjisori Butrint Pasha, publikoi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram një njoftim të këtij leximi skenik, duke shtjelluar konceptin e skenarit.

“Kjo duo-dramë vjen si nevojë e imja personale për të shpërfaqur problemin e ngacmimeve seksuale në universitete, vendpunime apo në rrugë. Personat e ngacmuar pa përfaqësim kanë hequr dorë prej ëndrrave të tyre, dhe për këtë arsye nuk mund të kontribuojne aktivisht në shoqëri. Drama meton të zgjojë vetëdijen që askush nuk ka të drejtë të ngacmojë dhe shantazhojë një person tjetër, si dhe viktimat e ngacmimit të mos hezitojnë të raportojnë ngacmuesit. Janë një zinxhir rrethanash që e kanë mbajtur të gjallë këtë fenomen ndër vite në shoqërinë tone”, ka shkruar Pasha. /Telegrafi/