Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 35 vjeçar, i cili kishte tentuar të transportonte ilegalisht në Kosovë, 27 emigrantë.
Rasti u zbulua nga Policia e Shtetit, ndërsa njofton se emigrantët kishin paguar nga 200 deri 400 euro për të hyrë në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Në afërsi të liqenit të Farkës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 27 emigrantë dhe në afërsi të tyre, shtetasin D. P., i cili do t’i transportonte emigrantët, drejt Kukësit, me një automjet furgon. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari i arrestuar, iu kishte premtuar transportimin nga Korça në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe që synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së”, njofton Policia.
Njoftimi i plotë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 22”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Farkë.
Vihet në pranga 35-vjeçari që do të transportonte me një furgon, në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën.
Procedohen në gjendje të lirë 27 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sekuestrohen furgoni dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Farkë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm, drejt Kukësit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 22”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 35 vjeç, banues në Kukës.
Në afërsi të liqenit të Farkës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 27 emigrantë dhe në afërsi të tyre, shtetasin D. P., i cili do t’i transportonte emigrantët, drejt Kukësit, me një automjet furgon.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari i arrestuar, iu kishte premtuar transportimin nga Korça në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe që synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 27 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/