Është përmbyllur sot në objektin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri, trajnimi pesë ditor i realizuar nga ICITAP-i amerikan ku morën pjesë 25 punonjës të IPK-së.
Në një njoftim për media nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), thuhet se ky trajnim është vazhdimësi e përkrahjes së IPK-së nga ICITAP-i amerikan dhe konsiderohet i specializuar për aspekte të veçanta dhe të avancuara të hetimeve.
“Ligjërues të këtij trajnimi ishin ekspertë të lartë të FBI-së (Federal Bureau of Investigation) – Byroja Federale e Hetimeve) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe kryeshefja e IPK-së, Miradije Kelmendi, e cila në fjalën e saj të rastit falënderoi ekspertët dhe zyrtarët e ICITAP-it, për kontributin e tyre në rritjen e profesionalizmit në IPK”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, pjesë e ceremonisë ishte Drejtori i AKSP-së Smajl Smakiqi, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin me institucionet dhe partnerët nga SHBA -të. /Telegrafi/