Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar popullin dhe institucionet amerikane në 247-vjetorin e pavarësisë.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës.
“Për të gjithë popullin dhe institucionet amerikane, sidomos për amerikanët që punojnë e shërbejnë në Kosovë – Urime Dita e Pavarësisë!
Në shënimin e 247 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikujtojmë fjalët e etërve themelues të këtij shteti dhe parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë.
Këto vlera, mbi të cilat është fuqizuar SHBA – vendi që është fanar dhe garantues i demokracisë në botë, njëkohësisht vendi më mik i Kosovës, shërbejnë si udhërrëfyes për paqe dhe barazi kudo në botën demokratike”, shkruan Krasniqi.
I pari i PDK-së thekson se përpjekjet për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve.
“Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite!
PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun”, shkruan Krasniqi. /Telegrafi/