Përmes Programit të Ministrisë së Shëndetësisë për edukim të vazhdueshëm të mjekëve nga Maqedonia në spitalet më të zhvilluara dhe sistemet shëndetësore, deri më tani janë edukuar 2.438 punonjës shëndetësor dhe atë në qendra kulminante mjekësore në Evropë dhe SHBA, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Rreth 70% e mjekëve të cilët kanë qenë në edukim tashmë zbatojnë metoda të reja në entet publike shëndetësore në Republikën e Maqedonisë.
Këtë sot në konferencë për shtyp e theksoi zëvendëskryeminsitri dhe ministër i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili tha se kjo masë sistematike e vendosur para disa viteve jep rezultate të shkëlqyeshme, është mirë e pranuar nga ana e të gjithë punonjësve shëndetësor të cilët arrijnë të përfitojnë njohuri dhe prëvoja të reja dhe në atë mënyrë vendosin metoda të reja në entet publike shëndetësore, bën të ditur Tv21.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për edukime të cilat janë me kohëzgjatje të ndryshme prej një muaji e më shumë, kështu që mjekët nga Maqedonia kanë mundësi t’i sendërtojnë njohuritë e veta, por njëkohësisht ta njohin mënyrën e organizimit të punës në institucion, kështu që edhe në atë pjesë të përfitojnë përvoja të reja me të cilat do ta avanconin dhe lehtësonin procesin e punës në entet e veta amë.
Vetëm në spitalet e përgjithshme dhe klinike, informoi Todorov, mbi 300 mjekë zbatojnë metoda të reja të cilat i mbizotëruan në edukimin e tyre jashtë vendit, ndërsa në këtë periudhë kryen mbi 80.000 intervenime apo procedura diagnostike, përkatësisht dhanë 80.000 shërbime shëndetësore të bazuara në metodën që e kanë mësuar jashtë vendit, që sipas tij, është tregues i shkëlqyeshëm për suksesin e këtij projekti.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, tha se ky investim në mjekët e Maqedonisë i kushton Ministrisë së Shëndetësisë ndërmjet dy dhe tre milionë euro në vit./Telegrafi/