Përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme të qeverisë se protestat e nisura në muajin shkurt nga opozita, do të ndikonin në imazhin e Shqipërisë dhe në numrin e turistëve, duke se kjo nuk ka ndodhur.
Rreth 240 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në muajin mars të këtij viti.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili thekson se “shifrat në rritje të turizmit në muajt e parë të 2019-s flasin për një vit turistik më të suksesshëm se paraardhësi”.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënuar 12% turistë të huaj më shumë se në mars 2018.
“Ndërsa gjatë 3-mujorit të parë të 2019 janë shënuar 2,8% vizitorë të huaj më shumë se në të njëtën periudhë të 2018”, ka thënë ai.
Shtetasit e huaj që kanë vizituar më shumë Shqipërinë janë maqedonasit, grekët, polakët, zviceranët, spanjollët, amerikanët dhe gjermanët.
Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet e bukura malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë.
Gjatë vitit 2018 Shqipëria u bë destinacioni turistik i 6 milionë turistëve, të cilët vizituan vendin tonë duke shijuar bukuritë natyrore, bregdetin, vendet e trashëgimisë, mikpritjen si dhe kulinarinë tradicionale. /KP/Telegrafi/