Site icon Telegrafi

24 dhjetori, afati i fundit për qartësimin e së ardhmes së Brezovicës

24 dhjetori i këtij viti është afati i fundit kur do të jetë më e qartë situata sa i përket të ardhmes së Brezovicës.

Kjo datë është afati ku qeveria në njërën anë duhet të kryej procesin e shpronësimit dhe dhënies së licencës për nisje të punimeve dhe në anën tjetër, konsorciumi fitues të ketë në dispozicion 164 milionë euro, raporton Televizioni Arta.

Drejtues të konsorciumit, të prirë nga kompania MDP Consulting, kanë mbajtur një takim me dyer të mbyllura me kompanitë kosovare për të parë mundësinë e inkorporimit të tyre në këtë projekt të madh.

Zyrtarë të saj kanë thënë se deri më tani ende nuk i kanë siguruar të gjitha paratë, por se deri në datën e caktuar do t’i kenë ato.

Pascal Roux, përfaqësues i konsorciumit ka thënë se deri në atë kohë kompania do të ketë edhe planin e menaxhimit mjedisor, masterplanin dhe financat.

Sa i përket kapacitetet aktuale të kompanive vendore, ai ka thënë se ato përpos ndërtimit, nuk kanë ndonjë kapacitet tjetër, por që me kohë pret të zgjidhet edhe ky problem. /Telegrafi/

Exit mobile version