Site icon Telegrafi

23 vjet nga atentati ndaj Kiro Gligorovit, hetimet vazhdojnë akoma

Më 3 tetor para 23 viteve u bë atentat ndaj presidentit të parë të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Presidenti i atëhershëm i mbijetoi atentatit dhe me lëndime të rënda u dërgua në Qendrën për Urgjencë. Hetimet dhe motivet për atentatin vazhdojnë edhe sot.

Sulmi u krye me makinë-bombë më 3 tetor të vitit 1995 në orën 09:50 në rrugën “Maqedonia” para hotelit “Bristol” në Shkup, kur Gligorov me makinë zyrtare lëvizte drejt zyrës së tij në Kuvend. Në një makinë “Citroen Ami 8” ishin fshehur 20 kilogram eksploziv, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në këtë atentat humbën jetën shoferi Aleksandar Spirovski, ndërsa u lëndua truproja e Gligorovit, Illço Teovski. Si pasojë e lëndimeve humbi jetën edhe kalimtari i rastit Hristo Hristomanov, ndërsa u lënduan edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.

Pas atentatit u hapën hetime nga ana e MPB-së, ndërsa u kyçën edhe shërbimet e sigurisë të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Anglisë.

Për atentatin ndaj tij, Gligorov ka shkruar edhe libër autobiografik “Atentat – një ditë më pas”, të cilin e promovoi në vitin 2002. Gligorov ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012./Telegrafi/

Exit mobile version