Në 22 vjetorin e rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, personalitetet politike në vend kanë kujtuar heroizimin e tyre dhe përkushtimin që ata dhanë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin Azem dhe Shotë Galica e kohës sonë.
“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, dy prej veprimtarëve më të hershëm të lëvizjes ilegale për liri e pavarësi, ishin Azem dhe Shotë Galica e kohës sonë. Ata ishin pjesë e formacioneve të para të UÇK-së për organizimin e rezistencës së armatosur dhe figura emblematike të luftës sonë çlirimtare. Me krenari e kujtoj çdo moment të angazhimit tonë të përbashkët.
Sot, në 22 vjetorin e rënies heorike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës, i kujtojmë dhe nderojmë për vizionin, këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës, për të cilën sakrifikuan edhe jetën. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin të palodhshëm dhe të pathyeshëm në rrugën e lirisë. Kështu i njoha dhe kështu përjetësisht do t’i kujtoj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë të lavdishëm, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi.
“Heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë të lavdishëm, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi. Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Kujtojmë gjithashtu rënien e bashkëluftëtarëve të tyre Fatime Hetemi e Shefqet Zekaj dhe heroizmin e Brigadës 114, që nderoi emrat e tyre deri në ditën e fitores.
Historia do i mbaj mend si dy viganë, që me guxim e trimëri dhanë gjithçka për shqiptarët”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/