Site icon Telegrafi

22 vjetori i Marrëveshjes së Kumanovës, Hoxhaj: Falë NATO-s dhe dëshmorëve të UÇK-së, Kosova frymon e lirë

Foto: Arkiv

Në 22 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxahj, ka thënë se falë NATO-s dhe dëshmorëve të UÇK-së, Kosova frymon e lirë si shtet i pavarur.

“22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund luftës në vendin tonë. Për 78 ditë, kombet që u rreshtuan në anën e të drejtës historike nën ombrellën e NATO-s, bombarduan deri në dorëzimin dhe dëbimin e Serbisë nga Kosova, duke parandaluar gjenocidin e planifikuar të Millosheviqit. Sot, falë NATO-s dhe dëshmorëve të UÇK-së, Kosova frymon e lirë si shtet i pavarur dhe është faktor stabiliteti për rajonin. Përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar Hoxhaj, në një postim në Facebook.

Sipas Marrëveshjes së Kumanovës, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. /Telegrafi/

 

Exit mobile version