Site icon Telegrafi

22 milionë dollarë për diamantin “perfekt”

Ka një qartësi dhe pastërti të jashtëzakonshme, si asnjë gur tjetër i çmuar i shitur më parë dhe sipas “Sotheby”, shtëpia e ankandeve, çmimi i shitjes është plotësisht i justifikuar.

Gary Schuler, drejtor departamenti në “Sotheby”, ka thënë se të gjithë të pranishmit janë mahnitur nga kjo pamje dhe nga madhësia e këtij guri, sidomos kur e provonin në gisht. Një pjesë e tyre madje nuk arrinin ta besonin vlerën e vërtetë të këtij guri të çmuar.

Çmimi final për shitjen e tij ishte për 22.9 milionë dollarë. Para shitjes në ankand, vlera e diamantit përllogaritej nga 19-25 milionë dollarë. Diamanti perfekt u nxor në Afrikën Jugore dhe para prerjes dhe ndriçimit, sipas shtëpisë së ankandeve, ishte mbi 100 karat. Blerësi i diamantit preferoi të mbetej anonim, ndërsa oferta fituese u bë përmes telefonit.

Sipas “Sotheby”, vetëm gjashtë diamante “perfekte” mbi 100 karat janë shitur në ankand, duke përfshirë edhe shitjen e fundit të së martës, shkruan revista class. Rekordi i shitur në ankand është diamanti i bardhë, i shitur në një ankand në Hong Kong, në vitin 2013. Vlera e tij ishte 118.28 karat dhe vlera e shitjes 30.600.000 dollarë. /Telegrafi/
 

Exit mobile version