Belegu, i cili po synon të rikthehet në krye të FBK-së, ka përkrahjen e hiq më pak se 22 klubeve. Këtë e ka konfirmuar Sigal Prishtina, e cila po e mbështet atë në garën për postin e të parit në FBK.
“Duke u bazuar në vendimin e Kuvendit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, të datës 3 gusht 2013 për caktimin e kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, në përputhje me statutin e FBK-së, përkatësisht nenin 27, sot njëzet e dy (22) klube dhe shoqata anëtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës kanë dorëzuar zyrtarisht nominimin e tyre me shkrim dhe të gjitha këto klube dhe shoqata njëzëri kanë propozuar Erolld Belegun për kryetar të FBK-së në periudhën e ardhshme 4 vjeçare”, thuhet në njoftim, transmeton Express.
Klubet dhe shoqatat që kanë bërë nominimin janë Prishtina, Trepça, Bashkimi, 21 TV, Studenti, Vllaznimi, Drita, Kastrioti, Kosova, Malisheva, Skenderaj, Fushë Kosova, Ylli, Eurosporti, Futura dhe Lipjani në kategorinë e meshkujve.
Ndërsa, në kategorinë e femrave, nominimin e ka bërë gjithashtu Prishtina, Trepça, Bashkimi, Penza, Kastrioti, si dhe shoqata “Hendikep”.
"Klubi ‘Sigal Prishtina’ dhe klubet tjera që kanë bërë nominimin apelojnë tek të gjitha klubet dhe shoqatat që të rrisin bashkëpunimin me njëra-tjetrën për avancimin e basketbollit kosovar, si dhe ftojnë kryetarin e nominuar që në bashkëpunim me klubet dhe shoqatat të punojë për krijimin e ekipit, i cili do të zbatojë programin e paraqitur para klubeve të FBK-së”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga klubi bardhekaltër.
Ndërkohë, ditë më parë Bordi i FBK-së kandidatë për postin e kryetarit të kësaj federate ka nominuar, Blerim Vuniçin.
Kuvendi zgjedhor i FBK-së është caktuar të mbahet më 24 gusht në ora 12:00, pasi kryetari i deritanishëm Fatmir Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti për shkak të emërimit zëvendës guvernator në Bankën Qendrore.
Siç ka njoftuar shtëpia e basketbollit kosovar, kandidaturat për kryetar të FBK-së do të pranohen deri më datën 21 gusht në ora 16:00 në zyrat e Federatës. /Telegrafi/