Site icon Telegrafi

​21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë

Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve.

Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftalmologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

Kështu bën të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.

Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.

“Diku janë 18 orë, deri tani kemi pasur 217 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Shërbimin Emergjent. Prej tyre 21 raste kanë qenë të lënduar me mjete piroteknike. Në këtë rast hyjnë edhe një që ka qenë me armë zjarri, domethënë me plumb qorr. Prej këtyre 21 rasteve, dy janë në gjendje të rëndë, kurse të tjerët janë trajtuar dhe lëshuar në shtëpi. Kurse dy janë pranuar, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një fëmijë të dyvjeçar, kurse tjetri në Klinikën e Oftalmologjisë, për shkak se e ka syrin në rrezik…Moshat janë fëmijë 6-vjeçar deri 60”, tha Syla.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla theksoi se sot kanë qenë të mbingarkuar për shkak të referimit të pacientëve, siç e quan ai të pakontrolluar nga spitalet rajonale dhe ambulancat e mjekësisë familjare.

“Stafi është normal, proporcional me ligjin dhe rregulloren e punës. Mirëpo, është një problem që Qendra Emergjente është e stërngarkuar, për shkak të referimit të pakontrolluar të pacientëve, si nga spitalet periferike apo rajonale, si nga ambulancat e mjekësisë familjare dhe për shkak të kësaj jemi të stërngarkuar”, theksoi Syla.

Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.

Policia e Kosovës apelon te çdo prind që të jenë më të kujdesshëm në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre në të kaluarën janë evidentuar incidente me pasoja të rënda, në të kundërtën policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. /kp/

Exit mobile version