Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.
Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot, transmeton Telegrafi.
Në Prishtinë gara do të zhvillohet mes Arben Vitisë, LVV dhe Përparim Ramës, LDK;
Në Gjakovë gara do të zhvillohet mes Ardian Gjinit AAK dhe Mimoza Kusari – Lila, LVV;
Në Drenas gara do të zhvillohet mes Ramiz Lladrovcit, PDK dhe Driton Ajazi, Demokratet për Drenasin;
Në Gjilan gara do të zhvillohet mes Alban Hysenit, LVV dhe Lutfi Haziri, LDK;
Në Fushë Kosovë gara do të zhvillohet mes Burim Berishës, LDK dhe Enver Bajqinca, LVV;
Kurse, në 17 komuna, kandidatët kanë fituar votat e mjaftueshme për të udhëhequr komunën.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, ka njoftuar se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare për raundin e parë të zgjedhjeve lokale, subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ne ora 10:00 ka shpallur Rezultatet e Zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave për zgjedhjet Lokale te mbajtura me 17 Tetor 2021. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, njofton të gjitha palët që kanë interes juridik dhe publikun e gjerë se kundër këtyre rezultateve mund të parashtrojnë ankesë/apel në PZAP brenda afatit prej 24 orëve nga momenti i publikimit të rezultateve nga KQZ-ja”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 17 tetor, kurse raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor. /Telegrafi/