Telegrafi

21 Janari, Prendi e Llupo të pafajshëm

Ndërsa ka lexuar vendimin për dy të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi.

Në një prononcim për mediat avokati Genc Gjokataj e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë pasi sipas tij ai komandanti i gardës Ndrea Prendi ashtu edhe gardisti Agim Llupo ishin në pritje të institucioneve.

Ndërkohë Prokuroria kishte kërkuar 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Në pretencën e saj, Prokuroria ka theksuar se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye kërkoi 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.

Kështu ky proces gjyqësor i nisur dy vjet më parë është mbyllur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë ku trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo. /Telegrafi/