Site icon Telegrafi

21 Janari, Laboratori: Pesë predha të paidentifikueshme

Sipas ekspertëve, pesë prej tetë predhave të gjetura janë të dëmtuara deri në atë masë sa nuk mund të kryet identifikimi i tyre me tytën e armës nga janë qitur.

Predhat, që sipas Laboratorit "janë të dëmtuara dhe nuk mund t’i nënshtrohen ekspertimit krahasues e balistik, janë dy predhat e gjetura në ndërtesën e UNHCR-së, predha e gjetur në kangjellat e rrethimit të kryeministrisë, predha e gjetur në fasadën e xhamit të bankës që ndodhet tek njëra nga kullat binjake, si dhe predha e nxjerrë nga koka e viktimës Aleks Nikaj".

E vetmja predhë, që nga laboratori është cilësuar e vlefshme për ekspertim, është predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi. Tashmë është identifikuar se kjo predhë ka dalë nga arma e përdorur prej Agim Llupos, i cili ndodhet i arrestuar.

Burime të prokurorisë së përgjithshme thonë se, "ne do t’iu kërkojmë ndihmë agjentëve të FBI-së që t’i nënshtrohen përsëri ekspertimit këto predha të gjetura në vendin e ngjarjes apo në trupat e viktimave, për të evituar gabimet e mundshme të ekspertëve shqiptarë".

Me ndihmën e Laboratorit të Policisë Shkencore, prokuroria tashmë ka identifikuar personat që ditën e demonstratës së 21 janarit kanë qëlluar me plumba luftarakë, drejt turmës apo edhe në ajër siç pretendojnë vetë efektivët e Gardës së Republikës. Deri tani janë identifikuar armët e shtetasit Agim Llupo që ndodhet nën masën e sigurisë "arrest me burg" dhe personave që po hetohen në gjendje të lirë Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çelaj dhe Ilir Duraku, raportoi Shekulli./Telegrafi/
 

Exit mobile version