Telegrafi

2018 do jetë viti i sprovës për Shqipërinë

2018-ta duhet konsideruar një vit kyç për Shqipërinë dhe arsyet janë disa.

Është ky një mesazh të cilin Brukseli e ka përcjellë qartë kohët e fundit përmes disa zyrtarëve të ndryshëm, shkruan Top Channel.

Shqipëria është shumë pranë çeljes së negociatave të anëtarësimit  dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për rrugën drejt BE-së.

Tabloja do të përvijohet më qartë në muajin prill kur Komisioni Europian të paraqesë progres-raportin për Shqipërinë.

Por ndërsa pritet për tu parë se çdo ndodhë më pas, komisioneri i Zgjerimit Johanes Hahn ndau me shqiptarët optimizmin se vlerësimet do të jenë pozitive dhe u kujtoi se nuk ka pasur feedback negativ nga asnjë prej vendeve anëtare të bllokut.

Përpos kësaj, komisioni nxjerr muajin e ardhshëm strategjine e tij të zgjerimit- dokument ky me një vizion të qartë për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë sigurisht edhe Shqipërinë. Pa harruar me tej se Brukseli e mirëpriti ngritjen e institucioneve të vetingut dhe i mëshoi rëndësisë që ka suksesi i tyre, si hap përpara drejt implementimit të reformës së drejtesisë në vend.

Këto janë të gjithë argumente që e rëndojnë peshoren në anën e pozitivitetit. Por e vërteta është se Shqipëria, thotë Europeanwesternbalkans, vazhdon të ketë një rekord të dobët në hetimin dhe ndjekjen penale të figurave kryesore në trafikun e drogës e aktivitete të tjera të krimit të organizuar, siç vërente dhe raporti i Freedom House për vitin e kaluar.

Korrupsioni brenda sektorit publik mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit drejt BE, e nuk është çudi që për çdo herë kur zyrtarët e lartë europiane kujtojnë arritjet e premisat e mira të anëtarësimit, i bashkëngjisin pohimeve të veta edhe nevojën për një zbatim rigoroz të reformave. Një problem tjetër me të cilin përballet vendi është ai i emigrantëve në BE, sepse numri i njerëzve që mbërrijnë atje nga Shqipëria është ndër më të lartët.

Vetëm në Francë, thotë kreu i Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve, Paskal Brice, ku shifrat e azilkërkuesve mbërritën nivelin më të lartë në 40 vjet, listën e kërkesave e mbizotëronte Shqipëria.