Site icon Telegrafi

2010, 2011 dhe politika e Prishtinës

Fundi i çdo viti paralajmëron jo vetëm largimin e një viti dhe ardhjen e tjetrit, por po ashtu paralajmëron edhe kohën e paraqitjes së një bilanci të arritjeve apo dështimeve që individët, bizneset sikurse edhe qeveria duhet të bëjnë. Viti 2010 erdhi mes shumë debatesh politike ndër hapësirat shqiptare me tone të nxehta nga fushatat elektorale që priteshin dhe natyrshëm as ky vit nuk ishte shumë i ndryshëm nga të kaluarit. Edhe ky vit që gati po lëmë mbrapa pati si emërues të ditëve të veta “armiqësinë dhe kundërshtimin” ndërmjet përkrahësve të kauzave të ndryshme politike.

Megjithatë, pavarësisht nga dështimet e politikës ditore shqiptare që janë tashmë pjesë e jetës së përditshme, vendimi i GJND-së i dha një mbështetje të madhe legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës; i dha një shtytje përpjekjeve amerikane për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Ky vendim pavarësisht pretendimeve për personifikimin e tij ishte dhe mbetet një vendim solidariteti i së drejtës ndërkombëtare me vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar, një popull liridashës që dha për paqene të tjerëve, por u desh shumë kohë të shijojë lirinë e vet.

2010 do mbahet mend si viti kur Kosova, shteti më i ri në botë, i njohur zyrtarisht nga vendet kryesore Perëndimore, u gjet mes një ngërçi politik pas dorëheqjes së ish presidentit Sejdiu si rezultat i një konflikti interesi mes posteve që mbante. Kjo dorëheqje ishte në vetvete jo vetëm veprimi politik e personal i Fatmir Sejdiut, por ishte gjithashtu rrufeja që shkatërroi koalicionin fluid mes PDK-së dhe LDK-së, një koalicion që më tepër kishte të bënte me ruajtjen e pozitave personale të kryetarëve respektivë sesa me të ardhmen e Kosovës.

Zgjedhjet e 12 Dhjetorit, të personifikuara tashmë me njërën ndër ndërhyrjet me fatkeqe që ka parë procesi zgjedhor në Kosovë, solli në jetën politike të Kosovës një realitet të ri ku zëri i pakënaqësisë popullore do ketë përfaqësuesit e saj në parlamentin e ri. Çdo kryeministër në fundin e çdo viti bën pasqyrën e arritjeve apo dështimeve, por mesa duket z.Thaçi e bëri ketë natën e 12 Dhjetorit me deklarimin se “arritëm një fitore të thellë”. Edhe sot, 17 ditë pas këtyre zgjedhjeve mbetet enigmë se ndaj kujt ishte fitorja kaq e thellë?! Populli, nëpërmjet votës së tij solli përfaqësuesit e Vetëvendosjes aty ku e meritonin dhe pavarësisht konfiguracioneve politike të ardhshme është në të mirën e Kosovës dhe të kësaj force politike që për mandatin e ardhshëm ajo të qëndrojë një forcë opozitare, sepse vetëm kështu ajo do i shërbejë Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Po cila është e ardhmja e qeverisjes së Kosovës dhe cilat mund të jenë kombinimet e mundshme ndërmjet forcave politike? Në mënyrë që të mos kemi një qeverisje fluide dhe krejtësisht fasadë, sikurse ajo e PDK-LDK, është e nevojshme që forcat që do krijojnë qeverinë e re të jenë të një tabani politik me ide dhe programe politiko-ekonomiko-sociale të ngjashme. Vetëm në këtë mënyrë do jetë e mundshme të kemi përshtatje mes synimeve dhe programeve politike. Vetëm në këtë mënyrë sigurohet qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria e qeverisjes. Kush e realizon këtë kombinim të nevojshëm? Sipas deklarimeve të deritanishme dhe rezultateve zgjedhore PDK mbetet forcë e parë politike dhe si e tillë ka të drejtën e formimit të qeverisë. Pavarësisht pretendimeve të disa forcave politike dhe deklarimeve mediatike z.Thaçi do jetë kryeministri i Kosovës nëse ky post do i takojë PDK-së duke bërë kështu që Vetëvendosja, AAK dhe LDK të jenë jashtë kombinacioneve qeverisëse.

Në këtë rast PDK-ja do mund të bëjë aleancë me AKR-në e Behxhet Pacollit. i cili dihet tashmë se synon karrigen që dikur e mbante partneri i larguar nga gjykata kushtetuese e Kosovës, z.Fatmir Sejdiu. Mesa duket, suksesi në biznes nuk i ka lënë z.Pacolli ndonjë dëshirë për të qenë pjesë e ekzekutivit të Kosovës. Nëse ky koalicion merr jetë atëherë do duhet edhe pjesëmarrja e pakicave jo vetëm për të ndjekur traditën 11 vjeçare, por edhe për të kënaqur ata nga të cilët politikanët e Kosovës, dhe jo vetëm, shohin sa herë që kanë probleme, përfaqësuesit e diplomacive të huaja. Po ashtu, koalicioni mes “PDK-AKR-pakicat” duket se do përballet me një opozitë forca e së cilës mund të jetë ajo e një uragani shkatërrues dhe kësisoj gjuha që duhet përdorur dhe strategjitë e qeverisjes duhet të përmbajnë ato që kjo opozitë do vërë në tavolinë. Mbase kjo mund të konsiderohet një lloj qeverisje me bazë të gjerë, por për aq kohë sa qeverisja e re do dojë të qëndrojë në pushtet do duhet të marrë parasysh sa më lart.

Një tjetër variant është ai i një qeverisjeje mes PDK-AAK-AKR por që duket se z. Pacolli e ka hedhur poshtë për shkak të bindjeve të tij personale dhe të forcës që ai zotëron në lidhje me AAK dhe leadershipin e saj. Kjo duket se vështirëson matematikën e z. Thaçi, i cili edhe ashtu e ka të vështirë me luftën mes grupimeve brenda partisë së tij nëse kemi parasysh mesazhin që z.Krasniqi, presidenti në detyrë i Kosovës, u dërgoi degëve të PDK-së në 12 Dhjetor. Po ashtu edhe një mundësi koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së është i pamundur duke qenë se LDK ka marrë tashmë drejtimin e saj si një opozitë e PDK-së, një qëndrim i drejtë dhe parimor.

Pavarësisht se cila do jetë qeveria e re e Kosovës ajo do përballet me realitetin e ri opozitar dhe me nevojën për bisedime me Serbinë, bisedime që me gjithë ndërmjetësimin e huaj do kërkojnë shumë më tepër sesa thjesht dëshirat e Thaçit apo premtimet e Pacollit. Fillimi i këtyre bisedimeve do kërkojë që Vetëvendosja dhe AAK të jenë të përfaqësuara në grupin e bisedimeve, i cili do ishte mirë të udhëhiqej nga një figurë patriotike dhe apolitike. Është e rëndësishme të mos kemi një raund të dytë të mosmarrëveshjeve alla Rambuje pas 11 vitesh.

Qeveritë me bazë të gjerë, të tipit “qeveri të shpëtimit kombëtar” apo “ qeveri transitore” janë ato që Kosova duhet tu largohet sa më tepër të jetë e mundur, sepse eksperienca shqiptare me të tilla qeveri sjell memorie negative. Gjatë vitit 2010 politika e Kosovës kaloi nëpër një kryqëzim me sinjalistikë rrugore që pavarësisht problematikave të shumta mundësoi kalimin pa shumë aksidente, ndërsa në 2011 ajo e gjen veten në një kryqëzim, të cilin as KEK-u as KESH-i nuk e furnizojnë dot. Gjithçka do varet nga drejtuesi që do jetë në timon.

Exit mobile version