Telegrafi

2000 euro për ata që raportojnë korrupsionin në Gjilan

Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka vendosur që të jap shpërblim për ata që raportojnë korrupsionin në këtë komunë.

Ky vendim është raportuar dje nga i pari i kësaj komune përmes një konference për media, ku ka bërë me dije edhe shumën që do të fitojnë këta raportues.

“Kam vendosur shpërblimin prej 500 deri në 2000 euro për të gjithë ata që denoncojnë korrupsionin dhe format korruptive në Komunën e Gjilanit. Raportimi i tyre mund të bëhet në telefona të Policinë e Kosovës, në Komunën e Gjilanit në të gjithë telefonat zyrtarë dhe privat duke i ndjekur çdo lloj linje të komunikimit. Dhe për çdo denoncim që konfirmohet nga ana e drejtësisë – hetuesve të krimeve ekonomike, atëherë Komuna i merr obligimet ndaj qytetarëve të përgjegjshëm ka me reaguar me këtë formë të shpërblimeve”, ka thënë Haziri gjatë konferencës së djeshme.

Ai ka folur edhe për ndërtimet pa leje, që përbën ende problem për komunë që udhëheq ai. Por, ka thënë se të gjitha këto ndërtime pa leje, do të trajtohen sipas ligjit.

“Deri më tani kemi 54 objekte pa leje. Jam në fazën e riorganizimit të administratës dhe natyrisht njerëzit përgjegjës në këtë sektor do të marrin reagimin adekuat të shtetit. Këto 54 objekte të ndërtuara pa leje do të trajtohen sipas ligjit, tashmë kemi operatorin për rrënim të objekteve që nuk i plotësojnë kushtet, apo i shkelin planin urban dhe ligjin në tërësi. Nuk ka tolerancë në asnjë mënyrë për ndërtuesit apo edhe ata që kanë toleruar ndërtimet ilegale. Reagimi ynë do të jetë në përputhje me ligjin”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/