Telegrafi

2000 aplikantë për 15 borde

Javën e kaluar ka përfunduar konkursi për kryetarë dhe anëtarë të bordeve për 15 ndërmarrje publike. Interesimi për të qenë pjesë e ndonjërit bord ka ngritur konkurrencën deri në rreth 2000 veta. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar numrin e aplikuesve prej 2000 vetave, ndërsa ekspertët e ekonomisë kanë thënë se kjo garë ka ardhur si pasojë e kritereve formale në konkurs.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashit, në këto konkurse pritet që të plotësohen nga katër ose gjashtë vende të bordeve.

Abrashi ka bërë të ditur se këtë javë pritet që komisioni i cili është themeluar nga Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë të bëjë përzgjedhjen e aplikuesve, ku më pas do të rekomandojë Qeverisë anëtarët për emërtim.

“Në konkursin për 15 bordet e Ndërmarrjeve Publike kanë aplikuar përafërsisht 2000 persona (aplikacione). Procedura për emërim (zgjedhje) është dhe do të zhvillohet në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe aktet tjera nënligjore. Aplikacionet do të shqyrtohen nga Komisionet që janë themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe do ti rekomandojnë Qeverisë anëtaret për emërim”, ka thënë ai. /Zëri/Telegrafi/