Telegrafi

200 mijë vizitorë vendas e të huaj në kalanë e Gjirokastrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, bëri publike shifrat e vizitorëve të Kalasë së Argjirosë për periudhën janar-tetor 2023.

Gjatë kësaj periudhe Kalaja e Gjirokastrës ka arritur numrin më të lartë të vizitorëve që ka pasur ndonjëherë: 200 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën, e mbrojtur nga UNESCO.

Kalaja përmendet për herë të parë si kështjellë në vitin 1336. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Kalaja ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman dhe periudhës së Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. /Telegrafi/