Telegrafi

200 mijë euro ndihmë fillestare për Shqipërinë

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kjo është vetëm ndihmë fillestare, por se institucioni që drejton do të jetë i gatshëm për ndihma edhe më të mëdha, varësisht nga situata, kushtet dhe rrethanat e reja që mund të krijohen.

Po kështu, janë dhënë autorizime për të nisur për në Shqipëri pjesëtarë shtesë të Forcës së Sigurisë dhe ekipe të zjarrfikësve, si dhe u është bërë ftesë autoriteteve komunale dhe gjithë popullit për t’u mobilizuar që t’i dalë në ndihmë Shqipërisë.

“E kemi përcjellë me vëmendjen më të madhe çështjen e vërshimeve në Shqipëri, kemi shprehur dhe shprehim edhe sot gatishmërinë tonë si gjithmonë për ndihmë dhe solidaritet. Kemi zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me qeverinë e Shqipërisë dhe janë ndërmarrë masa në dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe grupe të zjarrfikësve të Kosovës, të cilët tashmë janë atje”, ka njoftuar kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri ka bërë thirrje që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe potencialet që janë në dispozicion, dhe që në koordinim edhe me autoritetet ndërkombëtare, të shfrytëzohet kapaciteti më profesional i mundshëm edhe njerëzor, por edhe teknik, për të qenë më afër qytetarëve atje dhe më afër angazhimeve për tejkalimin e kësaj gjendjeje. /Telegrafi/