Ditëve të fundit në klinikën e fëmijëve “Kozle” ka një numër të madh të fëmijëve që vijnë për ekzaminim për shkak të temperaturës së ngritur dhe virusit të stinës. Drejtori i spitalit, Besnik Zeqiri, thotë se më të rrezikuarit janë fëmijët deri në 2 vjeç.
“Muajin e fundit, dhjetor, të gjithë fëmijët që vijnë për ndihmë mjekësore, fatkeqësisht janë më të vegjlit, nën moshën 2 vjeç dhe ata fëmijë janë shtruar në spital sepse janë të dehidratuar. Të gjithë kanë temperaturë të ngritur dhe po i rihidratojmë me infuzion. Fëmijët që janë më të vjetër se 5 vjeç rrallë i shtrojmë në spital, por ata trajtohen në shtëpi”, tha Zeqiri.
Zeqiri thotë se numri i mjekëve në Kozle është shtuar kohëve të fundit, ndaj thotë se nuk është problem që të presin fëmijë edhe nga qytetet tjera.
“Mund t’i pranojmë të gjithë fëmijët që vijnë nga Shkupi dhe nga vende të tjera, por fluksi është shumë i madh, rreth 200 fëmijë në ditë, po flasim për fëmijë, të gjithë duhet të ekzaminohen, të analizohen dhe ndonjëherë ndodh që fëmijët duhet të presin më shumë se gjysmë ore në ambulancën tonë. Aktualisht 3 fëmijë janë në mbështetje të oksigjenit,” tha Zeqiri./Telegrafi/