Më 15 mars 1991 u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysmë shekulli. Më poshtë mund të lexoni deklaratat përshëndeste asokohe të ish-ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, Zotit Raymond G. H. Seitz dhe ish-Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Zotit Muhamet Kapllani, me atë rast historik për të dy vendet.
Fjalimi i Ndihmës/Sekretarit Amerikan të Shtetit, Raymond G. H. Seitz:
Ministër Kapllani, mirë se erdhët në Washington, në Departamentin e Shtetit, për këtë rast historik. Sot pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po rivendosin marrëdhëniet diplomatike me shpresën për marrëdhënie miqësore e të frytshme midis dy popujve tanë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve tona e kanë fillimin në agimin e këtij shekulli kur Presidenti Uodrou Vilson i dha shtetit të ri shqiptar përkrahjen e Amerikës. Kjo lidhje nuk u harrua kurrë nga mijëra Amerikanë me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, e të cilët ishin në kontakt me atdheun gjatë gjithë këtyre viteve.
Me gjithë ndryshimet në sistemet politike, interesat e përbashkëta të vendeve tona nuk kanë ndryshuar qe prej kohës së Presidentit Vilson. Dy vendet tona janë të interesuara në një botë në të cilën të gjitha shtetet, të mëdha e të vogla, të jetojnë së bashku pa frikë. Ne njohim pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të tanishëm. Ne mirëpresim aspiratat e popullit shqiptar për t’iu bashkuar procesit të Helsinkit dhe presim me padurim ditën që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e Organizatës për Sigurim e Bashkëpunim në Evropë.
Sot, Shqipëria është në prag të një të ardhme të re. Populli shqiptar i ka bërë të qarta shpresat e tij për një vend më demokratik dhe më të begatshëm. Shtetet e Bashkuara përkrahin dhe inkurajojnë procesin e filluar të reformave politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ky proces do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara kur të mbahen zgjedhjet në fund të këtij muaji me pjesëmarrjen e shumë partive. Jemi të kënaqur që Amerikanët do të jenë ndër grupet e huaja që do të shërbejnë si vëzhgues të atyre zgjedhjeve. Është me rëndësi për komunitetin e shteteve anëtare të OSBE-ës si edhe për botën që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Ne i njohim mirë vështirësitë e mëdha shoqërore dhe ekonomike me të cilat përballet Shqipëria. Ne besojmë se këto vështirësi mund të tejkalohen, në qoftë se të gjitha partitë politike shqiptare dhe të gjithë qytetarët, realizimin e objektivave të tyre e ndjekin nëpërmjet një dialogu paqësor e demokratik.
Shtetet e Bashkuara shpresojnë që me Shqipërinë të fillojnë marrëdhënie ndërtuese dhe produktive në baza të interesit të përbashkët. Ne kemi në plan, që brenda një kohe të shkurtër të dërgojmë një delegacion në Shqipëri për të zgjeruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misionit diplomatik. Së bashku me vendet e tjera, si edhe me organizatat ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara janë gati të përkrahin përpjekjet e qeverisë dhe të popullit shqiptar drejtë reformave ekonomike dhe politike. Aftësia jonë për të ndihmuar do të varet nga vet angazhimi i Shqipërisë ndaj reformave dhe ndaj respektimit nga ana e qeverisë e të drejtave bazë të njeriut. Ne, gjithashtu , do të inkurajojmë edhe organizatat dhe individë privatë amerikanë që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Unë dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e kësaj dite. Ndër këta, sot në këtë dhomë, janë shumë amerikanë me origjinë shqiptare të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për të vendosur marrëdhënie të reja midis dy vendeve tona.
Zoti Ministër i Jashtëm, edhe njëherë, mirëserdhët në Shtetet e Bashkuara. Tani, ne fillojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të dy popujt tanë.
Fjalimi i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Zoti Muhamet Kapllani:
Është një privilegj dhe nder i madh për mua që qeveria ime më ka dhënë përgjegjësinë të nënshkruaj dokumentin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ne jemi në një ceremoni shumë të rëndësishme. Unë do ta quaja një moment historik, një ditë të madhe. Është një ditë e rëndësishme, pasi sot po mbyllim një boshllëk që ka ekzistuar për një kohë të gjatë midis nesh. Ne po krijojmë kushte të favorshme për të fituar nga koha e humbur. Ky nuk është vetëm një moment simbolik i vënies së një nënshkrimi mbi një dokument. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona – që shpresoj të jetë një pikëkthesë në këto marrëdhënie, të cilat shpresoj, ose më mirë të them, jam i bindur se do te kenë zhvillime të suksesshme.
Shqipëria është duke përjetuar një prej periudhave më interesante të historisë së saj të pas Luftës së Dyte Botërore. Ajo është duke kaluar nëpër një proces radikal demokratik, që përfshinë aspektin politik, superstrukturën, fushën ekonomike, infrastrukturën dhe të gjitha fushat e jetës. Ne jemi të angazhuar ndaj këtij procesi, pasi përputhet me interesat e tanishme dhe afatgjata të popullit shqiptar, për ta bërë Shqipërinë me të vërtetë një anëtare produktive të familjes së shteteve evropiane. Shqipëria beson në procesin e OSBE-së. Procesi i OSBE-së ka dëshmuar se sigurimi sot në botë nuk garantohet vetëm nga armët – nga një sigurim ushtarak, sigurim politik – është në të njëjtën kohë, ndoshta më shumë se sigurimi ushtarak, është sigurimi ekonomik – dhe sigurimi ekonomik do të thotë zhvillim ekonomik.
(Autori ka qenë i pranishëm në ceremoninë e 15 marsit 1991, me rastin e nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit e Tiranës dhe ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, për të cilin foli më lartë Zoti Seitz, e që një javë më vonë ai shkoi në Tirane për të filluar kontaktet e para midis dy vendeve dhe për të vërejtur zgjedhjet e para të vitit 1991)